Tuesday, December 5, 2023

Figura mbi Kohen

 


Nuk e kisha degjuar kurre te shante. E vetmja sharje qe perdorte,sidomos kur dicka nuk shkonte mire ishte - i dhjefja t'emen. Ne vendin tone ishte zakonshem te shanin me rrenje e dege. Aq rende sa edhe tani qe i kujtoj, me vjen turp. Nga vije e ku shkoje,o babai im? Si eshte e mundur te jetosh ne te keqe e te mos behesh pis. Ajo qe kujtoj pas tridhjetedy vjetesh,eshte buzeqeshja dhe deshira per te ndihmuar cdokend.

Ska gjesendi,ska gjesendi, thoshte gjithmone kur dicka shkonte mbrapsht. Kur dikush ne nje ambjent i tha,ti gjithmone kete thua,ju pergjigj,- mendon se ndihmon me shume te zgjidhesh problemin po te merzitesh?!

Nje njeriu im,qe u rrit pa baba,mbante mend,mengjeset,kur vinte ne Korce. Eren e mire,te sapuneve te rojes dhe kolonjes,e sidomos,faktin qe kendonte kur rruhej cdo mengjes.

Dicka kuptova per ate brez nga pershkrimi i z. Thimaq Fundo,dikur ne shtepine e tij.

- Korca lulezonte. Burrat te veshur mire,me brilantine ne floke e parfum. Nga dyqanet,gramafonat kendonin tangot,e sukseset italiane te epokes. Kudo kishte nje lloj positiviteti e gezimi. Kishte flert kudo. Shpesh ciftet ndalnin per te kercyer ne mes te bulevardit. Shume nga te rinjte qe studionin ne vende te tjera, sillnin nje tjeter kulture dhe kendveshtrim per jeten. Keshtu ishte Korca ku u rit babai.

Askush nuk ishte i pergatitur per te keqen qe po vinte.

Pyes vehten,a i dhame dicka,ne femijet e tij,per ti treguar sa shume e donim e cmonim? Nuk e di akoma. Duke diskutuar me vellackon per perplasjet qe kishim,si adoleshente me babain,ai me ndricoi me mendimin,se,plotesonim nevojen per tu perplasur me pushtetin duke perdorur babain,te vetmin " pushtet",me te cilin mund te perplaseshe pa pasoja ne shqiperi.

Sa gjera te pashpallura. Si do te ishte valle jeta e tij,ne nje demokraci perendimore?

Dikur rastesisht me kishte thene se kur ishte 17 vjec,ne mbarim te gjimnazit,ne garat kombetare te skive qe u zhvilluan ne Korce,doli i pari,por meqe kishte babain ne burg,nuk i dhane titullin,dhe e nxorren te dyte,sa turp (!?!). Ky ishte komunizmi. Duke diskutuar me shokun tim te mire,Lorencin,me kujtoj,si na godisnin neve ne gjimnazin e beratit. Koha e ka mbuluar nje pjese te dhimbjes,tani qe u rritem,po kur na godisnin,ishim 15-16vjecare. Femije. Njerez te pamoral dhe paskrupuj,qe quheshin,fatkeqesisht,mesues!!?

Per here te pare,e pashe shume te merzitur,kur kisha mbaruar klasen e tete. Erdhi ne Korce,per te na mare pas pushimeve. Une isha nxenes i mire,me te gjitha 10,dhe flete lavderimi. Kishte kerkuar nje burse per tornitor apo frezator (e dinte qe nuk do te na lejonin te studionim),qe te kishim nje zanat,per te fituar jeten. E refuzuan. Kur u perplas,atje ne zyre te keshillit e u tha,le ta benin me konkurs,e ne qofte se nuk e meritonte,djali i tij.... i bertiten - borgjez,do dhe konkurs ti...

Me mori menjane per nje bisede kur erdhi. Per here te pare e degjova te thoshte serioz,se ne nuk na donin ketu. Me tha per biseden e mesiperme,dhe mendimin per te shkuar ne gjimnaz,se pas kater vitesh mund te ndryshonin gjerat .( Nje ose dy vite pas brezit tone, duhej aprovim edhe per te vajtur ne gjimnaz). Nuk ishte dashakeqesi e thjeshte, ishte genocid institutional. E kuptoj thelle kete,tani ne te 60,une i padiplomi, sidomos kur shikoj si mediokriteti dhe deshtaket e komunizmit, vazhdojne te vjelin privilegjet pe ju akordoi rregjimi kriminal,pa treguar asnje pendim apo keqardhje.

Ishte mesuar ta mbante i vetem peshen e jetes. Ishte vetem 14 vjecar kur i denuan te atin me vdekje.( ..patriotin e vjeter Hari Panariti,te denuar edhe njehere tjeter me vdekje nga greket ne '20).Te ndaje mendimet me te tjeret ishte shume e rezikshme ne komunizem. Perpiqej te na ruante. Mbaj mend si ju rridhnin lotet dikur,bashke me te kunatin, doktor Kicon,bashke me psheretimen:- si nuk u lindem 80 km me ne perendim (?!?)

Kujtoj te qaren me ngulc kur vdiq kengetari Italian Claudio Villa,nje nga te preferuarit e tu. Apo menyren si me tregove vetevrasjen e Luigi Tenkos,aty ne prapaskenat e festivalit te San Remo, kur nuk doli fitues. Si per te me komunikuar se ka edhe vlera me te medha se vete jeta per eliten njerezore.

Sa vuan nje baba kur i godasin femijet?

E kuptova kur u bera baba.

Ndoshta eshte dhimbja me e madhe qe kam jetuar. Ndodhi ketu ne greqi. Para vitesh,kur vajza ime Sofia ishte ne klase te pare. Festonte ditelindjen e pare ne shkolle,dhe ishte vecanerisht e lumtur. Pergatiti ftesa per gjithe shoket e shoqet e klases. Erdhen vetem dy shoqe . Nuk mendoj se do te jetoj dicka me te dhimbshme si prind. Te shohesh te shuajn endrrat e femijes tend. Racizmi i shemtuar i Ballkanit. Me dhemb akoma,o baba.

Tani qe mendoj,per ju keto ishin e perditshmja. Une mund te ngrihem e te iki diku gjetke me familjen,po ju,ishit te lidhur. Dikur lexova mendimin se komunistet ishin te ndergjegjshem se e qeverisnin vendin aq keq,sa po ti hapnin kufijte,do te ikte pjese e madhe e popullsise,sic ndodhi. Ajo qe ndodhi,nuk ishte as e rastesishtme,as e paadresuar. Qellimi ishte shkaterrimi i moralit dhe targeti ishin ti dhe ata qindra njerez te frikesuar nga ajo qe ndodhte,nga vdekja shpirtrore e nje shoqerie njerezore.

Dikur me kishte thene se nuk kishte ne dore te me rregullonte diku,por edhe po ta kishte do te mendohej para se ta kryente,sepse besonte qe nje njeri duhet ta fitoje me perpjekje, vendin e tij ne jete.

Po kur shoqeria eshte aq e deformuar nga e keqja sa vete jeta,humbet kuptimin? Kur pushteti merr te drejten,jo vetem per profesionin qe do besh,po edhe per aftesite,talentet,vendin e jeteses, menyren e te veshurit,te te folurit,bile programon edhe kush dhe kur do te raset ne burg i pafaj,qe te tmerrohen te tjeret dhe te mos guxojne te protestojne as edhe per pjaten bosh?!?

Kudo ne bote ka te keqe,po e keqja shqipetare duket se kaloi kufijte, prandaj ai vend ngelet akoma pa rruge. Dikur Mark Dema,nje savant katolik qe e njojta rastesisht ne durres,me kish thene se nuk ishte burgu me e tmerrshmja, ishte te ndiheshe i detyruar ti thoshje me servilizem,- mirmengjes,hetuesit qe te kishte torturuar cnjerezisht per nente muaj ne birruce,sepse mund te ta bente gjithcka nga fillimi.

Si mund ta duash jeten paskesaj?

Kjo ishte bota ku te duhej te rrisje femijet dhe tu transmetoje vlerat morale,dijen, dashurine per tjetrin,dhe meshiren,pendimin,e faljen.

Nuk mi the kurre enderat e tua. C'do te doje te beje ne jete. E di qe e doje ate qe beje,po mesova edhe deshiren per te udhetuar,qe te shtynte te mesoje gjuhet e popujve te tjere. Dikur mesuesi i frengjishtes me dha nje cope leter per ty,kur e lexove,buzeqeshe dhe fillove dicka te shkruaje, e ma dhe perseri t'ja ktheja. Degjova nenezen qe te pyeti c'ishte,dhe i the se,pyeste per disa fjale frengjisht qe nuk i kishte gjetur ne fjalor.! Po grupin e inxhinjereve italiane qe shoqerove,dhe ate inxhinierin e vjeter qe kur te degjoj te flisje italisht,te pyeti:- po ti si ke mbetur ketu? Ti je shume i ri. Duke te ngaterruar me bashkeatdhetar qe kishte ngelur nga koha e luftes ne shqiperi.

Shoket e tu te dikurshem me thane se ne '73in ju mesoje italisht 300 veteve ne biblioteken e Beratit. Pothuajse gjithe intelektualeve te qytetit. Sa krenar ndihem qe te kujtojne per te mire. Nuk ishte e lehte te respektoje dike qe e kishte damkosur rregjimi kriminal komunist. Dhe cfare damke. Prapashpine,e turpshme,e rreme,... Sapo doli ne pension e paten thirrur drejtori dhe shefi i kuadrit dhe i kishin komunikuar se ne karakteristike i shkruanin se,"kishte luftuar me arme kunder komutnisteve". Ti u pergjigje se kur mbaroi lufta ishe vetem 13 vjecar,mund ta kontrollonin ne pashaporte. Si mundet nje femije 13 vjecar te luftoje me arme ?! Ata mbeten dhe u shikuan ne sy... Te kerkuan tu merrje deshmi shokeve te shkolles se nuk ishte e vertete sa shkruanin,po kush guxonte te thoshte te verteten aty?! Edhe "shoket"te zhgenjyen. Alberti,te tha -se nuk donte te merrte ne qafe femijet,sikur i kerkove te genjente. Vdekja e moralit,ndjek vdekjen e burrerise

Shpejt shpejt,gozhdojeni ate thirrnin per Krishtin turma. Keshtu edhe per ty,baba im.

Por Krishti eshte sakrifica e ndergjegjshme,qe ne te kemi jeten.

Perpara tre vitesh mesova rastesisht dicka qe ndricoi ndoshta aktin e fundit te jetes tende ne bote. Nje nga "spiunkat" me te cilet na kishte te rrethuar rregjimi, quhej planor. Ishte nga lloji i deshtakevet me te cilet komunizmi ndertoi nomenklaturen dhe vazhdon te jete edhe sot ne pushtet. Jane njerez bosh te cileve edhe diplomat qe ju ngjiten ne kurriz,nuk mund ti bejne te besojne ne vlera. Ky planor,pra,me kontaktoi ne fb ,per te me thene me nje te shprehur te corroditur qe deshminte per probleme psiqike,si e kishin thirrur per te dhene ne degen e brendeshme, denoncim per veprimtarine time armiqesore. Po vinte rradha ime e burgut,pregatinin dosjen. Kur ai kishte filluar te thoshte per shokun tone te perbashket,Agronin (Gosha),ata e nderprene,:- na fol per kete Mitrushin,lere Goshen.

Komutnistet ishin metodiste,mos u a hame hakun. Une isha nip i te denuarit me vdekje nga ata. Me vjen keq per ate te shkrete,planor,ndoshta tmerri qe perjetoi,i prishi jeten.

Pse mendoj qe babai,e mesoj c'po i pregatisnin te birit? Kishte miqesi me nje shitese simpatike,qe quhej Hana. Ajo punonte ne nje dyqan ne qender dhe dukej person simpatik. Kjo Hana simpatike, ishte mikesha e fshehte e kryetarit te deges. Ndoshta dicka mesoj nga ai dhe nga simpatia qe kishte per babain,ja tregoj,per ta paralajmeruar. Ne fakt babai po perpiqej nepermjet asaj te merrte nje vize per te ardhur vizite ne Greqi. Pergjigja e kryetarit ishte:- sa te kemi pushtetin ne,ai nuk shkel ne Greqi...

Ne se eshte i vertete mendimi im gjerat kane nje permase mistike.

Babait tim i kishin shkaterruar gjithe enderat,do te ishte hiperbolike ti shkaterronin dhe endren e fundit, familjen. Zemra e tij nuk mbajti . Plasi... Vdiq ne 24maj. Ishte dita kur kishte vdekur edhe shqiperia. Dita kur komunistet morren pushtetin,ne permet. Me vdekjen,kete akt sublim,na dha kohe,ne,familjes.  40 dit pas vdekjes,shqipetaret u dynden ne ambasadat. Realisht komunizmi vrases ra.

Kur mendoj ate kohe,aq te mbushur me ngjarje,si humbem ne vorbullat e koheve,aq te turbullt...

Per 40 ditet e babes kishin ardhur e motra,Kornelia ( qe babai e donte me shume se gjithe te tjeret), me djemte. Kishim dale me Bertin,djalin e madh dhe ishim ulur e po bisedonim ne oborrin e kishes se Shen Spiridhonit,ne gorrice. Biseda kishte teme mistike. Nuk e di perse por ne nje cast,u permed aty,djalli. Sapo u permend i ligu,ndodhi termet. U shikuam ne sy. Akoma nuk e di a Ishte ai termet vetem per ne,apo e ndjene edhe te tjere? Dicka e rendesishme na u komunikua,me gjuhen e paperktheshme te  Zotit. Ndoshta Ishte shpirti i babait qe u largua,sic thote mithi i 40 diteve.

Vitin e pare te vdekjes e perkujtuam ne Greqi. Vume lajmerimin ne gazeten Macedonia dhe pasi beme sherbesen ne kishe, nxorrem ata pak miq per nje dreke te pershpirtshme.

Kishim nje jete te re…

 

Epilog

Nje mbremje,u ktheva nga shetitja tradicionale ( e paqellimte dhe e pakuptimte) shqipetare me shoket. Gjithkush nga pjestaret e familjes sone te vogel merrej me dicka. Nena gatuante, vellackua lexonte,une,i lodhur nga shetitja doja te haja dicka. U futa ne sallonin pa drite te apartmentit te vogel ku jetonim. Babai Ishte i shtrire,aty,ne erresire. Mu lut te mos hapja driten. E pyeta c'ben ne erresire? Vetem? Me tha -se,para pak po degjonte muzike. Ishte bukur te degjoje ne erresire. I thashe i prekur nga vetmia e tij,te vinte ne kuzhine,me ne te tjeret.- ja tani,me tha. U ngrit dhe me perqafoi. Sa vjet kaluan qe atehere?! Nje pafundesi.

E kam akoma ne shpirt,aromen e Babait te Mire. Te atij brezi njerezish,...te lene ne erresire...

Edhe mua me pelqen te degjoj muzike ne erresire,ne qetesi.

Perpjekjen e nje shpirti te ndjeshem te dale nga erresira, nepermjet artit...dhe dashurise sublime per jetet qe nuk kane ndodhur akoma,qe do te vijne ne te ardhmen...edhe nepermjet nesh,baballareve. Ndryshe,si do ta ternim erresiren? Erresiren e shpirtrave qe nuk munden te arrinin deri tek e Mira.




                                                                         Thessaloniki    Gusht 2022


No comments: